Analistët: Çfarëdo korrigjimi i kufirit i dëmshëm për vendin

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë një bashkëbisedimi në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, ku para një audience të specialistëve të rajonit ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë ka deklaruar se nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme.

Analisti Ramush Tahiri, ka thënë se kjo deklaratë nuk ka ndonjë ndikim në jetën e përditshme deri sa të nënshkruhet marrëveshja. “Kjo është në nivel të deklaratës, nuk është platformë as e Kosovës dhe as e Serbisë, ani pse dhe Vuçiq deklarohet ngjashëm. Në marrëveshjen e ardhshme në mes Kosovës dhe Serbisë çështja e kufirit, ose përcaktimi i vijës kufitare ose demarkacioni do të jetë një nga çështjet më të rëndësishme, pa marr parasysh a do të jetë kufiri i vjetër apo i ri. Marrëveshja është me rëndësi të jetë në përputhshmëri të plotë në mes dy palëve. Nuk ka ndonjë ndikim në jetën e përditshme deri sa të nënshkruhet marrëveshja dhe ta ratifikoj Kuvendi i Kosovës. Pra është deklaratë si çdo deklaratë tjetër”, ka thënë Tahiri.Analisti Imer Mushkolaj, u shpreh se korrigjimi është korrigjim, si i lehtë si jo i lehtë, i cili nënkupton një autonomi për serbët në Kosovë.

Sipas tij, korrigjimi është i rrezikshëm dhe është ide e dëmshme për vendin.“Korrigjimi është korrigjim, si i lehtë si jo i lehtë. Megjithatë unë kuptoj që korrigjimi i lehtë, nënkupton një korrigjim të lehtë të kufirit, por njëkohësisht dhe një autonomi për serbët në Kosovë. Kështu që është jashtëzakonisht një zgjidhje problematike, të zgjedhësh ndërmjet një korrigjimi që mund të përfshij këmbimin më të madh të territoreve por pa autonomi serbe brenda Kosovës, e në anën tjetër një korrigjimi të ashtuquajtur dy pjesë, që nënkupton edhe autonomi për pjesën e serbëve që mbeti në Kosovë. Sido që të jetë korrigjimi është i rrezikshëm dhe është ide e dëmshme për vendin, por po duket që opsionet po shkojnë duke u ngushtuar gjithnjë e më shumë. Shpejt e kam përshtypjen që do të vijmë në një situatë ku përnjëmend duhet të zgjedhim mes një korrigjimi të lehtë, siç po e quan presidenti dhe jo të lehtë dhe një statusi brenda Kosovës”, ka thënë ai.

I pyetur se nëse ndodh një “korrigjim i lehtë” i kufijve a mund të ketë destabilizim të situatës, Mushkolaj tha: “Natyrisht që korrigjimet nuk janë të lehta në kuptimin e proceseve që ndodhin dhe ne presim që mund të ketë pasoja. Sa i përket destabilizimit, varet se si do të arrihet marrëveshja dhe varet ‘se di do të shitet’ kjo marrëveshje tek njerëzit. Cila do të jetë kostoja e këtij veprimi, çka përfitojmë në etj…Natyrisht që do të ketë pasoja, nëse jo brenda vendit do të ketë pasoja tek njerëzit që jetojnë në ato territore ku bëhet shkëmbimi. Deshëm s’deshëm do të ketë një spastrim të qetë etnik. Do të ketë pasoja pavarësisht se çka thonë presidenti e të tjerët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *