Funksionimi katër komunave veriore mbetet vetëm iluzion

Që nga dorëheqja e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, Mitrovicë veriore, Zubin Potok dhe Zveçan, më 27 nëntor të vitit të kaluar, tashmë janë kaluar të gjitha afatet ligjore për zgjidhjen e këtij problemi, i cili më shumë është politik se sa ligjor, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë. Të katër kryetarët e dorëhequr janë pjesë e Listës Serbe.Veroljub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, thotë se pavarësisht ofrimit të dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, me ç’rast ishte thënë se “administrata e vetëqeverisjes lokale e sistemit të Prishtinës, në veri më nuk ekziston”, megjithatë puna në njësitet e ndryshme të institucioneve të këtyre komunave, është duke vazhduar.

“Edhe më tej ato funksionojnë sikurse të mos ishin dhënë dorëheqjet. Zëvendëskryetarët e komunave nuk kanë dhënë dorëheqje. Pra, shërbimet që janë të nevojshme për funksionimin e qytetarëve punojnë edhe më tej. Tash, as qytetarët që janë në veri nuk e dinë se a janë apo nuk janë të dorëhequr kryetarët, sepse po krijohet një iluzion thuajse dorëheqjet nuk ekzistojnë, për shkak se gjithçka tjetër është duke funksionuar”, theksoi PetroniqAi ka shtuar se tashmë është e dukshme që vetëm takimet e kryetarëve të katër komunave veriore të vendit me ambasadorët dhe përfaqësuesit e ndryshëm ndërkombëtarë në Kosovë, më nuk po mbahen.Dorëheqjet e kryetarëve të këtyre komunave vazhdojnë të mbeten pezull dhe të padefinuara ligjërisht, për shkak se, siç kanë shpjeguar më herët zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, problemi qëndron te përdorimi i termit “Kosovë e Metohi”, në dorëheqjet e ofruara nga kryetarët e këtyre komunave dhe se kjo formë e dorëheqjes ka qenë jo e rregullt dhe me adresim jo të saktë. Por, pavarësisht nga natyra e dorëheqjeve ose arsyetimi i tyre, njohësit e situatës thonë se çdo kryetar i komunës, nëse mungon 30 ditë në vendin e punës pa arsye, e humbë atë vend me ligj. Rrjedhimisht,presidenti i vendit do të duhej t’i sugjerojë Komisionit Qendror Zgjedhor që t’i shpallë zgjedhjet për kryetar të këtyre komunave.Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pavarësisht asaj që njësitë institucionale të komunave, por edhe asambletë komunale mund të jenë pjesërisht funksionale, megjithatë, kompetencat e kryetarëve të komunave, nuk mund t’i zëvendësojë dikush tjetër.

“Nuk ka kompetenca të mjaftueshme Kuvendi Komunal që të mund ta zëvendësojë një kryetar komune. Në anën tjetër, janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, për shkak të pamundësisë të funksionalizimit të Komisionit qendror të zgjedhjeve (KQZ). Por, edhe nëse bëhet konstituimi i KQZ-së, prapë e dimë se do të kemi një problem politik në veri, sepse është shumë në pikëpyetje pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet potenciale për kryetar të komunave”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *